Panairi i Artizanatit Shkodër

Panairet  që ekspozojnë produktet artizanale në Shqipëri kanë një rëndësi të veçantë. Ato kanë një rol të rëndësishëm në promovimin e produkteve të trashëgimisë kulturore jomateriale sikurse dhe stimulojnë vazhdimësinë e traditës, nëpërmjet trashëgimisë brenda ose jashtë familjes së bartësve, si rrjedhojë e incentivimit material të vetë këtyre të fundit. Panairi i Artizanatit Shkodër, sigurisht që mund të konsiderohet ndër më të rëndësishmit në veriun e Shqipërisë. Ai organizohet nga Shoqata e Artizanëve dhe Zejeve të Shqipërisë dhe mbahet rregullisht prej vitit 2010. Me një kohëzgjatje të konsiderueshme, rreth 50 ditë në vit, ai mbahet kryesisht në atë që njihet si pedonalja e qytetit të Shkodrës në rrugën Kolë Idromeno. Ndër stendat e shumta, që hasen çdo vit, në panairin e artizanatit Shkodër, një vend të rëndësishëm zënë edhe stendat me veshje tradicionale të zonës çka, duke marrë parasysh faktin se në këtë panair i krijohet hapësirë ekspozimit të traditës në qarkun e Shkodrës, sjell informacion të bollshëm rreth pasurisë që kjo zonë mbart përsa i përket këtyre veshjeve. Sigurisht që një vend të rëndësishëm mes kësaj tradite zë edhe Xhubleta, tashmë një traditë e mbrojtur nga UNESCO në List of Intangible Cultural Heritage in Need of Urgent Safeguarding with International Assistance from the Intangible Cultural Heritage Fund. Në fakt, në panairin e artizanatit Shkodër xhubleta ekspozohet në stendën e bartëses File Kola, një ndër të paktat femra malësore që zotërojnë sot e kësaj dite dijen e realizimit të kësaj veshjeje kaq të rëndësishme për Malësinë e Madhe. Znj. Kola kujdeset që çdo vit, sa herë mbahet panairi, të ekspozojë disa lloje xhubletash të krijuara nga vetë ajo sikurse edhe xhubletën e trashëguar në familjen e saj.  

Harta