Dijebërja e Xhubletës

Një ndër arsyet që e bën xhubletën kaq të veçantë nga të gjitha veshjet e tjera tradicionale, në formë dhe estetikë, është pikërisht dijebërja e saj. Dijebërja e xhubletës është një proces sa i gjatë e po aq i ndërlikuar. Realizimi i xhubletës, ashtu si edhe i veshjeve të tjera, ka qenë pjesë e punës së grave, ndërsa punimi i veglave të punës si gërhana, furka, koshi i spikut dhe vegja bëheshin nga burrat e po ashtu edhe procesi i qethjes së bagëtive e ai i përftimit të shajakut.

Dijebërja e xhubletës përbëhet nga një sërë procesesh, një pjesë e të cilave e përbashkët edhe për prodhimin e veshjeve të tjera që si bazë kishin materialin e leshit, ndërsa disa prej tyre janë specifike vetëm për xhubletën.

Në vijim do të radhisim të gjitha ato procese një pjesë e të cilave ende vijojnë të përdoren, por edhe procese që nuk vijojnë më në formën e tyre artizanale. Në mënyrë më të detajuar do të ndalemi te proceset më specifike, të cilat luajnë rolin kryesor në krijimin e formës së xhubletës.

Xhubleta është një veshje e punuar me dorë, e cila karakterizohet nga forma e saj që i përngjet një këmbane të valëzuar. Kjo veshje është e përbërë nga shirita të qepura në vijë horizontale dhe të bashkuar nëpërmjet ‘spikut’, duke qenë , ky i fundit, një lloj filli i bërë nga gjashtëmbëdhjetë fije leshi të veçanta.

Xhubleta konsiderohet si elementi identitar i grave malësore në Shqipërinë e Veriut. Nisur nga morfologjia dhe semiotika e saj e veçantë,  mjeshtëria e ndërtimit të xhubletës gëzon një vlerësim të madh. Ai përfshin aftësi specifike në përgatitjen e shajakut, prerjen, qepjen dhe qëndisjen e figurave simbolike si dhe montimin e të gjithë elementëve që përbëjnë xhubletën. Në ditët e sotme xhubleta haset kryesisht e zezë me motive të qëndisura shumëngjyrëshe.

Xhubleta dikur përdorej në jetën e përditshme duke nisur prej moshës së pubertetit dhe dëshmonte statusin social (vajzë, të martuara, të veja) dhe ekonomik (dekorimet) të femrës. Dimensioni kuptimor i saj është trashëguar deri në ditët e sotshme, ndërkohë që pasqyrohet në përdorimin e veshjes në ngjarje të rëndësishme të jetës si martesa, festat (veçanërisht Logu i Bjeshkëve, duke qenë ky një aktivitet social i parashikuar si një platformë takimi dhe e rigjallëruar mbas viteve 1990) dhe ritualet e vdekjes.

Në të kaluarën, njohuritë dhe aftësitë e bërjes dhe veshjes së xhubletës transmetoheshin nëpërmjet demonstrimit brenda familjes, meqënëse vajzat kishin për qëllim përgatitjen e pajës së tyre. Sot, pak gra zotërojnë njohuri për të gjithë procesin dhe transmetimi brenda familjes është i rrallë. Gjithashtu, mungesa e leshit organik të përshtatshëm për prodhimin e shajakut ka bërë që të përdoren lloje të reja leshi. Gjithsesi kjo përshtatje mundësoi trashëgiminë e mjeshtërisë së xhubletës, duke mundësuar vazhdimësinë e saj pa ndryshuar kuptimin për komunitetin.

Funksioni social i xhubletës reflektohet kryesisht në përdorimin e saj ceremonial dhe festiv, sikurse dhe në procesin e trashëgimisë. Ajo konsiderohet një element shumë domethënëse për bartësit, pasi vështrohet si pjesë e identitetit të tyre dhe një element që forcon ndjenjën e përkatësisë në komunitet.

Xhubleta ka njëherazi edhe një kuptim të fortë kulturor duke bërë pjesë në botën shpirtërore të malësorëve. Shpesh konsiderohet si “veshje malsorçe”, që do të thotë se lidhet thellë me identitetin e të qenit një malësor. Gjithashtu, legjendat për aftësitë e transmetuara nga zanat tek gratë malësore, janë të pranishme sot e kësaj dite dhe transmetohen brenda komunitetit.

Xhubleta mishëron lidhjen me të kaluarën dhe trashëgiminë familjare. Kjo është veçanërisht e dukshme tek elementët e xhubletës të cilët trashëgohen brez pas brezi mes të njëjtës gjini, ndërkohë ripërdoren dhe rijetëzohen në një xhubletë të re.

Këmbimi i mjeteve të punës mes grave në komunitet, për të prodhuar pjesë të munguara të xhubletës, qëkurse sot një pjesë e mirë e këtyre mjeteve kanë humbur, sjell bashkëpunim, ndërveprim dhe respekt të ndërsjellë mes tyre.

Gjithashtu, femrat ndajnë praktikat më të mira të dijes në drejtim të plotësimit të elementeve dhe teknikave dekorative të xhubletës. Sot, xhubleta luan një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet mes komunitetit lokal dhe grupit të diasporës, si një element identifikimi lidhës me vendin e origjinës. Shprehje e kësaj marrëdhënieje të shëndetshme është edhe “Logu i Bjeshkëve”, pikëtakimi i grupeve të ndryshme shoqërore ku prania e veshjes me xhubletë promovon lidhjen me praktikat dhe vlerat kulturore të zonës.