Dile Vaçaj
Dile Vaçaj ka një lidhje të veçantë me xhubletën për shkak të lidhjes familjare sikurse dhe të ushtrimit të funksionit si drejtuese e shoqatës “Jehona e Kelmendit”. Vetë Dile Vaçaj e ka veshur xhubletën si vajzë e re, në moshën 13 vjeçare, veshje kjo që i është mësuar nga nëna e saj. Me ndryshimin e statusit, sikurse ndodhte me të gjitha vajzat e martuara në Malësinë e Madhe, ajo vesh edhe Xhubletën e nusërisë, por, qëkurse tashmë ndodhemi mbas viteve 1967, kohë në të cilën kishin filluar kufizimet e përdorimit të kësaj veshjeje, mundësia e respektimit të traditës aq të dëshiruar vjen e venitet gjithmonë e më shumë. Gjithsesi znj. Vaçaj gjen një mënyrë tjetër për të siguruar jetëgjatësinë e veshjes me xhubletë duke u bazuar në punën e saj si mësuese për rreth 40 vite në zonën e Malësisë së Madhe. Profesioni i mundëson Dile Vaçaj që të ketë kontakt me fëmijët në shkollat e ndryshme të zonës ku jep mësim dhe meqenëse merrej rregullisht me organizimin e aktiviteteve artistike, të mbatjura nga këto shkolla, ajo përmbushte pasionin e saj duke veshur fëmijët me xhubletë (vajzat) e çakshir (djemtë). Më vonë, këtë pasion Dile Vaçaj e ushtron duke mbajtur pozicionin e personit që përgatiste vajzat për Logun e Bjeshkëve. Një prej veprimtarive të mbajtura gjatë Logut të Bjeshkëve, në respekt të protokollit tradicional të Logut të Kishës, është edhe vlerësimi i vajzës më të mirë, veshur me xhubletë. Dile Vaçaj, prej vitit 1998, kohë kjo kur filloi të riorganizohej Logu i Bjeshkëve, ka mbajtur funksionin e personit që vishte vajzat me xhubletë. Veshja e femrës me xhubletë, sikurse shprehet vetë Dile Vaçaj, kërkon respektimin e një procedure të trashëguar brez pas brezi e cila në disa raste ka pasur nevojë edhe për 10 ditë përgatitje. Njëkohësisht po të njëjtën procedurë kërkon edhe palosja dhe paketimi, për ruajtje, i vetë xhubletës. Gjithsesi Dile Vaçaj tregon që ka mundur të t’ju mësojë edhe vajzave pjesëmarrëse mënyrën se si të veshin xhubletën dhe të mos kenë nevojë për veshtare.

