Drane Rukaj

Drane Rukaj është ndër të paktat banorë të Malësisë së Madhe që ende ruan dijen e ndërtimit të Xhubletës. Panvarësisht moshës së thyer, znj. Rukaj është 81 vjeç, mban mend me detaje proceset dhe mënyrat e aplikuara për ruajtjen, sikurse dhe mirëmbajtjen e Xhubletës. Sikurse ndodhte rëndom në traditën e femrës malësore, Drane Rukaj ka filluar të vishet me xhubletën e vajzërisë, të cilën e kishte trashëguar nga tezja e saj, qysh në moshë të re. Më pas kur është martuar, në moshën 18 vjeçare, ka filluar të veshë xhubletën e gruas. Tradita e ndërrimit të xhubletave, mes asaj të vajzërisë dhe gruas, të cilat kishin karakteristika dalluese nga njëra-tjetra, sipas thënieve të banorëve të zonës, ishte një zakon i cili respektohej në mënyrë rigoroze nga femrat malësore. Në këtë mënyrë xhubleta shërbente edhe si një shenjë dalluese e statusit të femrës në komunitet.  Drane Rukaj, sikurse shprehet vetë, nuk pati mundësi ta veshë xhubletën e gruas për më shumë se një vit, për arsye se mbas vitit 1960 përdorimi i kësaj veshjeje në jetën e përditshme u ndalua nga regjimi i kohës. Panvarësisht direktivave ndaluese për përdorimin e xhubletës, Drane, sikurse dhe shumë femra malësore, e vishnin xhubletën sa herë kishte Logje dhe në festa të tjera. Tradita e prerjes dhe qepjes së xhubletës, në familjen e Drane Rukës, trashëgohej brezi pas brezi dhe qoftë gjyshja sikurse dhe nëna e saj kishin realizuar mjaft xhubleta. Gjithsesi Drane Rukaj e mësoi xhubletën prej gjyshes së saj, qëkurse nëna i ndërroi jetë në moshë të re. Drane thotë se ka bërë një xhubletë me ndihmën e gjyshes, por panvarësisht zvetënimit të traditës së realizimit dhe veshjes me xhubletë, ajo është krenare që sa herë ka ndonjë festë vajzat dhe nuset e djemve të saj vishen me xhubletë.

Harta