Mulliri i Tanazajve
Mulliri i ujit në Malësi të Madhe, veçmas funksioneve të tjera, kishte një rëndësi thelbësore në materializimin e lëndës së parë me të cilën realizohej Xhubleta. Në thelb, kjo lëndë e parë është material prej leshi me një dëndësi karakteristike, e cila në zhargonin e komunitetit quhet Shajak. Dendësia dhe cilësia e shajakut ndikonte në vlerësimin dhe pozicionimin e Xhubletës aq sa vetë banorët e Malësisë së Madhe shprehen…xhubleta e mirë qëndron në këmbë vetë. Në mënyrë që të arrihej një cilësi e tillë, leshi duhej rrahur në Vajanicë me të cilën ishin të pajisura disa mullinj uji në Malësinë e Madhe. Një ndër Mullinjtë e Ujit me Vajanicë më të njohur të zonës ka qenë Mulliri i Tanazajve, ndërtuar nga vëllezërit Nikë dhe Fran Lula. I ndodhur në Grabom të Malësisë së Madhe, Mulliri i Tanazajve ishte i pozicionuar, natyrshëm, buzë lumit Cem dhe ka shërbyer në realizimin e shajakut të shumë xhubletave të zonës. Rrahja e leshit në vajanicë tradicionalisht ka qenë një punë që ju besohej burrave, çka konfirmon edhe kontributin e tyre në realizimin e Xhubletës. Sipas informacioneve të djalit të Nik Lulës, gurët e mullirit të Tanazajve janë porositur në Mitrovicë të Kosovës. Sot, për fat të keq, ky mulli nuk egziston më sepse është dëmtuar, sipas banorëve të zonës, si rrjedhojë e shkarjes së dherave dhe gurëve gjatë kohës që është ndërtuar rruga që lidh Kelmendin me Shkodrën. Gjithsesi, panvarësisht terrenit të vështirë, mund të shihen ende rënojat e tij, një dëshmi kjo e “ngurtësuar” për traditën e hershme të rrahjes së shajakut në vajanicë.