Marubi - Nga Fototekë në një Muze fotografie

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” është i vetmi muze i llojit të tij në territorin e Republikës së Shqipërisë. I vendosur në qytetin e Shkodrës, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” themelohet në vitin 1970 me statusin e Fototekës “Marubi” pasi Gegë Marubi i dhuron shtetit shqiptar të gjithë arkivin e dinastisë Marubi. Në vitin 2016, tashmë në një godinë të rinovuar, çelet me statusin e Muzeut Kombëtar të Fotografisë, ndërkohë që arkiva e tij, fillimisht me rreth 500,000 negativ, ka ardhur duke u pasuruar në vazhdimësi. Qëkurse ky muze ruan trashëgiminë e fotografisë së Marubëve, duke nisur me Pietro Marubbi-in prej vitit 1856, për të vazhduar më vonë me Kel Kodhelin (Marubi) e Gegë Kodhelin (Marubi), aktiviteti i të cilëve përqendrohej kryesisht në Shkodër dhe rrethinat e saj, ai padyshim që pasqyron edhe traditat përfshirë veshjet, e përditshmërisë dhe ceremonialit, të kësaj krahine. Më konkretisht në arkivin e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” gjenden një numër i konsiderueshëm fotografish ku dokumentohen vajza dhe gra të veshura me xhubletë. Ndër fotot e shumta mund të evidentohen tipologji të ndryshme të xhubletës çka mund të dëshmojë edhe statusin e bartësit. Njëherazi, sidomos fotografitë e realizuara në studio, dëshmojnë rëndësinë që komuniteti i bartësve të traditës së veshjes me xhubletë, i jep kësaj veshjeje si një element të bashkëlidhur me identitetin dhe personalitetin e tyre.