File Kola

File Kola është ndër të paktat malësore që njohin në detaj të gjitha proceset e nevojshme për të realizuar një Xhubletë. E lindur në Kozhnje të Kelmendit, ajo qysh në moshë të vogël u rrit në prehnin e xhublets të nans, pra në një familje ku të gjithë anëtarët e gjinisë femërore, nëna dhe gjyshja, visheshin në xhubletë sikurse dhe prisnin dhe qepnin veshjen me xhubletë. Fillimisht, aftësinë për të realizuar xhubletën, File Kola e nisi duke ndihmuar nënën dhe gjyshen e saj në përgatitjen e disa elementëve të domosdoshëm për xhubletën sikurse janë spiku, përgatitja e leshit etj. Me kalimin e kohës dhe fitimin e përvojës sikurse dhe zotërimin e të gjitha teknikave të xhubletës, File Kola fillon të realizojë edhe xhubletat e para, tashmë jo si punim kolektiv mes saj dhe të afërmve, por si prodhim tërësisht i saj.  Sipas dëshmive të vetë File Kolës, gjatë rinisë së hershme ajo punoi vetë xhubletën që do të vishte si nuse, e cila sigurisht që do të bënte pjesë në pajën e saj. Sikurse dhe ishte tradita e nuseve malësore, ajo e mbajti veshur xhubletën, pas martese, për 1 (një) vit, ndërkohë që më pas, për shkak të politikave të qeverisë së asaj periudhe, nuk mundi të vishej më me xhubletë pavarësisht se pasioni për këtë veshje nuk ju zvetënua. Me ndryshimin e sistemit, mbas viteve 90’, File Kola rifillon realizimin e xhubletës, ndërkohë që sot, rrëfen ajo,  mbas pranimit të Xhubletës në UNESCO, ka një interes të shtuar për këtë veshje edhe nga individë të cilët nuk i përkasin komunitetit tradicional të veshjes me xhubletë. Ajo tregon se për të punuar një xhubletë nuk mjafton vetëm dëshira por edhe  dijebërja e nevojshme sikurse dhe vullneti, qëkurse realizimi i një xhublete mund të shkojë deri në 4 (katër) muaj. Gjithsesi ajo është e lumtur sepse, sikurse dijebërja e xhubletës i është trashëguar nga nëna e saj, ka mundur ta kalojë këtë aftësim tek pasardhësit, të cilët bashkëpunojnë me të herë pas here për realizimin e xhubletave.

Harta