Pallati i Kulturës Lezhë

Qyteti i Lezhës dhe rrethinat e tij përmban një numër të konsiderueshëm banorësh të migruar prej Malësisë së Madhe. Rrjedhimisht, ky komunitet i vendosur në Lezhë ka sjellë me vete edhe traditat e zakonet e tij përfshirë këtu veshjen tradicionale të femrës malësore Xhubletën. Këto zakone e tradita përfaqësohen në jetën e përditshme sikurse dhe në aktivitetet kulturore që organizon Pallati i Kulturës në qytetin e Lezhës. Pallati i Kulturës Lezhë është themeluar në vitin 1983, kohë prej të cilës ushtron funksionin e tij në organizimin e aktiviteteve artistike e kulturore. Në vitin 2021, ai iu nënshtruar një procesi restaurues duke krijuar kësisoj edhe kushte më dinjitoze qoftë përsa i përket ruajtjes së bazës materiale, duke marrë parasysh se në të njëjtën godinë ndodhet edhe Muzeu Etnografik i qytetit, e qoftë në funksion të përgatitjes së aktiviteteve kulturore. Në fondin e Pallatit të Kulturës aktualisht janë inventarizuar 7 xhubleta prej të cilave 2 janë xhubletat e vajzërisë dhe 5 xhubleta të gruas malësore. Për arsye mirëmbajtjeje, Pallati i Kulturës, ka të ekspozuar në stendën e muzeut të saj etnografik 1 (një) xhubletë të gruas malësore. Gjithashtu, në funksion të realizimit të aktiviteteve kulturore, organizuar nga Pallati i Kulturës Lezhë, mirëmbahet edhe një xhubleta e cila vishet nga pjesëmarrësja e përzgjedhur në aktivitetet e sipërpërmendura. Xhubleta është e pranishme si veshje tradicionale e bartësve lokalë, në aktivitetet e mbajtura si festivalet folklorike e tipologjike, festat popullore, sikurse dhe aktivitete promovuese të traditës së zonës. Pallati i kulturës organizon rregullisht një sërë aktivitetesh ku xhubleta zë një vend të veçantë, sidomos pas regjistrimit të saj në UNESCO, si  “Sofra Malësore”, “Rrno për me tregue” etj.

Harta