Logu i Bjeshkëve

Logu i Bjeshkëve është një festim i hershëm i banorëve të Malësisë së Madhe. I njohur fillimisht si Logu i Kishës, ai zakonisht zhvillohej mbas mbajtjes së meshës. Sipas thënieve të vetë anëtarëve të komunitetit, në përfundim të meshës, anëtarët e komunitetit dilnin në sheshin/ambientin përpara kishës/objektit të kultit, ndërkohë që një prej tyre jepte thirrjen, intepretonte këngën majekrahi, çka shërbente për të tërhequr vëmendjen e të pranishmëve drejt vajzave që ishin veshur me xhubletë të cilat si rregull duhet të kalonin përpara kishës dhe të ishin të dukshme për të gjithë pjesëmarrësit në mënyrë që banorët të përcaktonin më të mirën mes tyre. Femra malësore shkonte në kishë gjithmonë e veshur me xhubletë, duke përzgjedhur atë që kishte më të mirë, në rastet kur kishte disa prej tyre.  Gjithsesi, jo të gjtha femrat mund të ndiqnin protokollin e kalimit para kishës për arsyen se ky privilegj i lejohej vetëm vajzave që kishin maksimumi 1 vit martesë. Këto të fundit ishin të dallueshme për  arsye se, përveç veshjes me xhubletë, mbanin veshur edhe kapicën. Përpos përzgjedhjes së më të mirës mes nuseve të reja, Logu përmbante një sërë aktivitetesh të tjera argëtuese, të cilat kryesisht zhvilloheshin nga meshkujt, si si gara me kuaj, tërheqje litari, loja e shpatave etj. Si rregull Logu mund të zhvillohej në çdo kishë. Gjithsesi, deri në ditët tona, ka mbijetuar Logu i Bjeshkëve i zhvilluar në Qafë të Predelecit. Ky aktivitet i përvitshëm është rijetëzuar në vitin 1998, nga shoqata “Jehona e Kelmendit”, dhe prej asaj kohe mbahet çdo vit, pa ndërprerje, zakonisht mes datave 8-12 gusht. Vendodhja e tij ka karakter historik për arsye se tek Qafa e Predelecit ka egzistuar një Kishë/objekt kulti, në të cilën mbahej meshë, ndërkohë që më pas zhvillohej logu me karakteristikat që përmendëm më sipër. Në traditën e hershme të Logut në Qafën e Predelecit, të drejtën për të marrë pjesë e kishin vetëm vajzat që ishin martuar në vitin kur mbahej Logu dhe i përkisnin zonës përreth Selcë, Tamare, Broje, Vukël etj. Në praktiken e sotshme të Logut të Bjeshkëve, kjo traditë e pjesëmarrjes është transformuar dhe përshtatur qoftë përsa i përket moshës së pjesëmarrëseve, nga mosha 15 vjeç e deri tek gra të martuara me fëmijë, sikurse dhe përsa i përket shtrirjes gjeografike. Ditët e sotshme, qartazi për arsye të spostimeve demografike, marrin pjesë femra që janë me banim në zona të ndryshme të Republikës së Shqipërisë madje edhe me banim jashtë vendit.

Harta